Wednesday, August 3, 2011

Në Kukël, nderohet Ndre Mjeda


“Përkujtimi i Mjedës” i nxjerr akademikët për rrugë të gjatë. Qendra e Studimeve Albanologjike dhe Fondacioni “Ndre Mjeda” i bëjnë homazh personalitetit të letrave shqipe Dom Ndre Mjedë (1866-1937), sot, 1 gusht 2011, ora 10.00 – 13.00, në fshatin Kukël të Shkodrës, ku Mjeda shërbeu për vite me radhë.
QSA ka përgatitur një program aktivitetesh për të nderuar në 155-vjetorin e lindjes figurën e shumanshme të poetit, prozatorit, gjuhëtarit, historianit, muzikologut, arkitektit, pionierit të arsimit kombëtar. Programi i veprimtarive parashikon vizitë në ambientet ku jetoi e shërbeu Dom Ndre Mjeda, ekspozitë me fotografi dhe vepra të Mjedës; program nga Shoqëria Muzikore “Prenk Jakova”’; panair me produkte karakteristike të zonës, si dhe dhënien e Çmimit “Ndre Mjeda” për kontribut në studimet mbi Mjedën. Me këtë rast shkollës së mesme të Bushatit i jepet emri “Ndre Mjeda”.
“Përkujtimi i Mjedës” synon të jetë aktivitet i përvitshëm “për të gjallëruar jetën komunitare dhe letrare të zonës” dhe që të kthejë në identitet kompleksin “Ndre Mjeda”, me Kishën dhe me Muzeun, për t’i dhënë këtij kompleksi edhe një status si Monument Kombëtar që do ta përfshinte në hartën e turizmit kulturor për zonën mes Zadrimës e Bushatit.
Për aktivitetin kanë kontribuar Arqipeshkvia Shkodër, Komuna e Bushatit, Murgeshat “Bijat e dashnisë Hyjnore” në Shkodër dhe Foto-Studio Nënshati.

No comments:

Post a Comment